Presidenti i shoqërisë: roli dhe përgjegjësitë

Detyrat e Presidentit

Roli i presidentit në drejtimin e shoqërisë

Urime për zgjedhjen si president i shoqërisë! Ju do të keni shumë përgjegjësi, por detyra juaj më e rëndësishme është të drejtoni dhe të mbikëqyrni shoqërinë. Roli juaj do të jetë aspekti më i dukshëm për publikun dhe kolegët tuaj. Është një detyrë që duhet marrë përsipër me përgjegjësinë më të madhe.

Detyrat e presidentit të shoqërisë përfshijnë menaxhimin javë pas jave të çështjeve të biznesit; përcaktimin e programit të takimeve; drejtimin e mbledhjeve të bordit të drejtorëve; përpilimin e letrës për aksionarët si dhe drejtimin e çdo takimi.

Përgjatë gjithë zhvillimit të programit “Shoqëritë e nxënësve”, presidenti është përgjegjës për: drejtimin dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të shoqërisë;

  • menaxhimin (me ndihmesën e vullnetarit të JA) e dymbëdhjetë takimeve të shoqërisë;
  • hartimin e programit dhe drejtimin e takimeve të bordit të drejtorëve, sipas rregullave të procedurës parlamentare. Ju duhet të siguroheni që punonjësit e shoqërisë të njihen me këto rregulla përpara mbledhjes së bordit të drejtorëve (takimi V);
  • hartimin e letrës për aksionarët, përshkrimin e përgjithshëm për shoqërinë, si dhe hartimin e një letre falënderimi për vullnetarin, përpara likuidimit të shoqërisë. (Shihni shembujt e dhënë në Shtojca);

Likuidimi i Shoqërisë

Detyrat e presidentit pas likuidimit

Mbas likuidimit të shoqërisë presidenti duhet të hartojë letrën për aksionarët, një përshkrim të përgjithshëm për shoqërinë, si dhe një letër falënderimi për vullnetarin

Detyrat e Menaxhimit

Udhëheqja dhe koordinimi i shoqërisë

Presidenti është “personi i kontaktit” për shoqërinë. Kjo është një shoqëri e drejtuar dhe e menaxhuar nga nxënës, kështu që ju si president do të udhëhiqni këtë përpjekje. Në shtojca përfshihet një fletë-udhëzimi për drejtuesit e shoqërisë.

Ndoshta do t’ju duhet që të mblidheni me drejtuesit e tjerë jashtë kohës së takimeve për të rishikuar fletë-udhëzimin, si edhe për të shqyrtuar ndonjë problem lidhur me to.

Mbledhjet e Bordit të Drejtorëve

Roli i presidentit gjatë takimeve

Si president i shoqërisë, ju jeni përgjegjës për programin e takimit. Kjo do të thotë që ju duhet të vendosni se si do të rrjedhë takimi në mënyrë të tillë që të përmbushë të gjithë objektivat e planifikuara. Mbledhja e parë e bordit të drejtorëve zhvillohet gjatë takimit V. Në këtë takim, të gjitha departamentet duhet të përshkruajnë shkurtimisht kontributin e dhënë në hartimin e planit të biznesit, si dhe të shpjegojnë se si do të zbatohet ai gjatë fazës së mundësive të biznesit (përshkruar në afishen “Mundësi për biznes”). Shoqëria duhet të miratojë planin e biznesit gjatë takimit V.

Mbledhjet e bordit të drejtorëve do të drejtohen sipas rregullave të procedurës parlamentare. Një përshkrim të shkurtër të procesit e gjeni në paragrafin më poshtë. I njëjti përshkrim prezantohet për të gjithë punonjësit e shoqërisë edhe në materialet gjatë takimit V. Si president i shoqërisë ju duhet të siguroheni që të gjithë drejtuesit t’i kenë kuptuar qartë rregullat, përpara mbledhjes së parë. Punonjësit e tjerë do t’ju ndjekin gjatë takimit. Megjithatë, procedurat nuk mund të zbatohen me lehtësi, në qoftë se ju dhe drejtuesit tuaj nuk jeni njohur paraprakisht me rregullat.

Mbledhja e dytë dhe e fundit e bordit të drejtorëve do të zhvillohet në takimin XII. Gjatë kësaj faze ju dhe kolegët tuaj do të likuidoni shoqërinë, do të miratoni shumën që do t’u shpërndahet aksionarëve (nëse shoqëria juaj do të ketë fitim), do të mbyllni të gjithë librat dhe llogaritë, si dhe do të përgatisni raportin vjetor.

Rregullat e procedurës parlamentare

Udhëzime për presidentin e shoqërisë

Më poshtë do të gjeni një listë të rregullave bazë, që presidenti i shoqërisë duhet të zbatojë gjatë drejtimit të takimeve zyrtare:

  • Kërkojuni nxënësve të flasin me radhë njëri mbas tjetrit.
  • Jepini çdonjërit mundësinë për të folur. Për secilin duhet të përcaktoni një kufi kohor.
  • Kur merret një vendim i rëndësishëm lidhur me politikat e shoqërisë, kërkojini dikujt të hartojë një mocion. Një mocion është një formulim i një politike të dëshiruar. Për shembull, një punonjës i shoqërisë mund të thotë: “Unë propozoj që çdo aksionari t’i paguhet një dividend prej 250 lekësh për aksion”.
  • Një mocion duhet të ndiqet nga një i dytë. Një mocion i dytë është një mbështetje për të parin. Në rast se nuk do të kemi një mocion të dytë, atëherë mocioni konsiderohet i rrëzuar dhe diskutimi mbyllet.
  • Nëse mocioni është formuluar dhe ka një mbështetës, atëherë ai mund të hidhet për diskutim. Dikush mund të përmirësojë ose të modifikojë mocionin vetëm me lejen e atij që e ka propozuar atë. Në momentin që mocioni ka një mbështetje, atëherë mund të votohet për të dhe më pas ai mund të kalojë ose të rrëzohet. Pas kësaj mund të kalohet në mocionin tjetër.
  • Kur të gjitha propozimet lidhur me mocionin janë dëgjuar, çdokush mund ta propozojë për votim. Për shembull: “Unë propozoj të votojmë për mocionin”. Atëherë presidenti i shoqërisë thotë: “Të gjithë ata që janë dakord me mocionin të thonë ‘pro’ dhe të gjithë ata që janë kundër tij të thonë ‘kundër’”. Mocioni miratohet me shumicën e atyre që përgjigjen “pro”. Mocioni refuzohet me shumicën e atyre që përgjigjen “kundër”. Për çështje të diskutueshme presidenti mund të përdorë votimin me miratim koke, heshtje ose me fletë votimi.
  • Kur mocioni është miratuar, ai ka efekt të menjëhershëm, me përjashtim të rasteve kur mocioni vetë e parashikon ndryshe.
  • Të dyja mbledhjet e bordit të drejtorëve duhet të drejtohen sipas procedurës parlamentare dhe procesverbali i tyre duhet të mbahet nga Departamenti i Burimeve Njerëzore. Procesverbalin, mund ta plotësoni këtu ose nëse dëshironi ta shkarkoni, një model të procesverbalit e gjeni edhe në Shtojca.
You have completed 0% of the lesson
0%