Takimi II - Mbledhja e Shoqërisë dhe Plani i veprimit
Informacion për mbledhjen e shoqërisë
Informacion për mbledhjen e shoqërisë
Rishikimi i statutit
Punonjësit e shoqërisë duhet të lexojnë standardet e statutit, të përfshira në modelin e statutit, që ndodhet në Shtojca. Statuti është një grup rregullash të përshtatura nga një organizatë për qeverisjen e punonjësve të saj dhe për rregullimin e biznesit. Vendosni se çfarë ndryshimesh duhen bërë, në qoftë se është e nevojshme. Ju mund të shtoni, fshini ose të ndryshoni rregulloren tuaj. Kur shoqëria të ketë arritur një konsensus me shumicë vote, të gjithë punonjësit e pranishëm duhet të firmosin aktin e themelimit. Më pas ky dokument duhet t’i dërgohet zyrës së JA në Shqipëri (info@junior-albania.org), së bashku me një kopje të printuar të aktit të themelimit nga paketa e programit “Shoqëritë e nxënësve”. Ndryshimet e bëra në statut duhet të përfshihen në dokumentin elektronik dhe të printohen. Shoqëria duhet të identifikojë ndryshimet e bëra në modelin standard të gjuhës, në mënyrë që të kontrollohet dhe të pranohet nga stafi i zyrës së JA.
Analizoni procedurën e shitjes së aksioneve
Gjatë komunikimit me investitorë të mundshëm, duhet të jeni të përgatitur për të ofruar informacionin e mëposhtëm:
- Shpjegojuni që ju po shisni aksione të një shoqërie JA. Theksoni që kjo është një mundësi edukative për nxënësit, për të drejtuar dhe më pas për të likuiduar shoqërinë e tyre;
- U bëni të qartë se çdo aksion kushton 200 lekë;
- Shpjegojuni se fitimi ose të ardhurat nuk janë të garantuara, por shumica e njerëzve do të rikuperojnë investimin e tyre, si edhe dividendin.
Departamenti i Burimeve Njerëzore është përgjegjës për shpërndarjen e certifikatave të aksioneve për të gjithë punonjësit e shoqërisë. Kur bëni një shitje, plotësoni informacionin e kërkuar në certifikatën e aksionit dhe në kartelën e informacionit të aksionarit. Gjatë likuidimit informacioni i saktë është thelbësor për përcaktimin e dividendit të aksionit. Paraqituni aksionarëve certifikatën e aksionit. Jepini drejtorit të Burimeve Njerëzore kartelën e informacionit të aksionarit, ndërsa drejtorit të Financës, paratë e marra nga shitja e aksioneve. Të gjitha shitjet e aksioneve duhet të regjistrohen në zarfin e regjistrit të aksionarëve.
Zgjedhja e produktit
Ndërsa shoqëria juaj përshkon procesin e zgjedhjes dhe të formulimit të idesë për produktin, sigurohuni që i jeni referuar listës së produkteve të miratuara, ose të pamiratuara në takimin III.