Takimi II - Departamenti i Marketingut
Departamenti i Marketingut: roli dhe përgjegjësitë
Departamenti i Marketingut
Roli dhe përgjegjësitë
Urime që u bashkuat me Departamentin e Marketingut! Ju jeni përgjegjës për zhvillimin dhe zbatimin e strategjisë së marketingut të shoqërisë. Kjo përfshin trajnimin e shitësve, mbajtjen e regjistrit të shitjeve, zhvillimin e programeve nxitëse për shitjen dhe planifikimin e fushatave të reklamës. Duke qenë se shumë punonjës ngurrojnë të shesin në mënyrë agresive, detyra juaj është më sfiduesja në shoqëri. Puna krijuese, entuziazmi dhe shembulli juaj personal do të ndihmojnë në nxitjen e shitjeve dhe në garantimin e suksesit. Në mënyrë të veçantë, punonjësit e marketingut janë menaxherë shitjesh me imagjinatë, risimtar dhe energjikë në përpjekjet e tyre për të reklamuar biznesin në forma unike.
Përgjatë veprimtarisë së programit “Shoqëritë e nxënësve”, Departamenti i Marketingut është përgjegjës për:
- planin e biznesit për Departamentin e Marketingut;
- zarfin e porosive të shitjeve;
- tabelën e shitjeve;
- taktikat e shitjeve (takimi VIII).
Fushatat publicitare
Përcaktoni se si do të reklamohet produkti juaj (gojë mbas goje, afishe etj.).
Inventari i produktit
Departamenti i Marketingut menaxhon inventarin e të gjitha produkteve të përfunduara dhe pranon produktet në inventar, kur ato janë përfunduar nga Departamenti i Prodhimit. Marketingu gjithashtu mban edhe zarfin e porosive të shitjeve, tabelën e shitjeve dhe plotëson përmbledhjen e shitjeve përpara likuidimit të shoqërisë.
Afishja e tabelës së shitjeve
Paraqisni afishen e tabelës së shitjeve pas takimit V. Listoni të gjithë emrat e anëtarëve të shoqërisë dhe regjistroni të gjitha të ardhurat e përftuara nga shitjet e çdo jave. Kjo është një mundësi për nxitjen e konkurrencës. Sa më shumë të shisni, aq më shumë komision do të fitoni!
Regjistrimet e shitjeve
Zarfi i porosive të shitjeve lejon Departamentin e Marketingut të ndjekë inventarin në zotërim të punonjësve dhe të regjistrojë shitjet dhe komisionet individuale. Merrni formularin e porosive të shitjeve (kopjen e shoqërisë) nga Departamenti i Financës, pasi ai të ketë mbledhur nga punonjësit e shoqërisë pagesat e mbajtura në zarfet e tyre të ndjekjes së shitjeve. Depozitoni formularin e porosive të shitjeve në zarfin e regjistrimit të shitjeve dhe sigurohuni të shënoni në krye të zarfit numrin e produkteve të shitura për çdo javë.